Ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 16-të në UNS
Ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 16-të të studentëve në Universitetin Ndërkombëtar në Strugë, më 2 tetor 2024, ishte një ngjarje emocionuese dhe e mbushur me krenari. Ngjarja, e cila u mbajt në hapësirat e jashtme të kampusit, u moderua nga Msc. Dorian Leka, një ish-student i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe aktualisht pedagog në UNS.
Rektori i ri i UNS, Prof. Dr. Shpëtim Cami, mbajti fjalimin e tij të parë, ku përgëzoi të gjithë të diplomuarit për përkushtimin dhe punën e palodhur gjatë viteve të studimit. Ai shprehu krenari për sukseset e studentëve dhe theksoi rëndësinë e angazhimit të tyre ndaj arsimit. Një moment i veçantë i ceremonisë ishte ndarja e Certifikatës së Mirënjohjes për Saranda Hani, e cila u vlerësua si studentja më e mirë e gjeneratës në fushën e Jurisprudencës.
Pas fjalimit të Prorektorit, fjalën e mori Prof. Dr. Biljana Ciglovska Bojchevska, e cila theksoi rëndësinë e këtij rrugëtimi të rëndësishëm trevjeçar për studentët e UNS. Ajo ndau Certifikatën e Mirënjohjes për Amra Xheleshi nga Fakulteti i Shkencave Ekonomike. Më pas, fjalën e mori Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike, Doc. Dr. Guximtar Rushani, i cili, duke u bazuar në përvojën e tij shumëvjeçare në arsim, i motivoi studentët për hapat e tyre të ardhshëm në karrierë. Doc. Dr. Rushani ndau gjithashtu Certifikatën e Mirënjohjes për studentin Asimela Vzhari nga Fakulteti i Shkencave Juridike.
Ishte një nder të kishim të ftuar Prorektoren e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr. Nevila Rama, e cila theksoi bashkëpunimin e mirë shumëvjeçar mes dy universiteteve dhe foli për rëndësinë e përgatitjes së studentëve për tregun e punës. Në fund të fjalimit të saj, Prof. Dr. Rama ndau certifikatën me studentin e gjeneratës së Universitetit Ndërkombëtar të Strugës (UNS) në Gostivar, Loredana Asani.
Ish-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, nderoi ceremoninë e diplomimit me pjesëmarrjen e tij, ku përgëzoi të diplomuarit për arritjet e tyre. Ai gjithashtu vuri në dukje transformimin e qytetit dhe rritjen e investimeve dhe se sa kjo do t’i ndihmojë tregut të punës. Ai ndau certifikatën për studentin e gjeneratës nga Fakulteti i Shkencave Komputerike Kristaq Nikolla