FAKULTETET
EKONOMI DHE BIZNES
Programi Ekonomi dhe Biznes ofron njohuri të gjëra në fushën e administrimit të biznesit dhe ekonomisë në tërësi, si në aspektin teorik, ashtu dhe në aplikimin praktik. Matematika përdoret si mjet kyç në analizën dhe interpretimin e të dhënave. Gjithashtu, komunikimi efektiv dhe metodat moderne të mësimdhënies i kanë bërë studentët të vetëdijshëm për nevojën e inovacioneve të reja në zgjidhjen e problemeve të biznesit, të mbështetur në kërkesat e konsumatorëve dhe objektivat e biznesit.
Për realizimin e programit të këtij departamenti është angazhuar një kuadër akademik nga fusha e ekonomisë, i përgatitur për të trajtuar problematika në suaza jo vetëm të tregut të brendshëm por edhe ndërkombëtar. Studimet e programit të ciklit të parë, në departamentin e “Administrim Biznesit” zgjasin tre (3) vite. Pas përfundimit të suksesshëm të studimeve, studenti do të marrë diplomë për kryerjen e studimeve trevjeçare të ciklit të parë (i diplomuar në fushën e Ekonomisë dhe Biznesit).
Qëllimet:
- Përmes zhvillimit të ligjëratave dhe ushtrimeve synohet që studentët të marrin njohuritë bazë për themelet e biznesit dhe të sigurojnë një kuptim të gjerë rreth biznesit në përgjithësi;
- Studentët mësojnë si të aplikojnë modele të përshtatshme të biznesit në situatat e vendimmarrjes dhe të aplikojnë arsyetimin etik në situata të biznesit;
- Prezantimi i studenteve me parimet themelore të fushës së biznesit gjithashtu ofron një bazë efektive të punës në ekip.
Objektivat:
- Studentët pajisen me njohuri të plota rreth teorive të biznesit, modeleve dhe zbatimin e tyre ne treg;
- Të njihen në veçanti me udhëheqjen, sipërmarrjen dhe analizën e problemeve të biznesit dhe theksimin e mundësive;
- Ofrimi i bazës për përgatitje të gjerë në çfarëdo shteg të karrierës që një student mund të zgjedhë, si dhe sigurimin e një përgatitjeje solide për studime pasuniversitare në këtë fushë dhe të tjera të ngjashme.